Rrahja e nxënësve nga mësimdhënësit, nëpër shkollat Kosovës, vazhdon të jetë përditshmëri. Jo më larg se sot, një rast i tillë ka ndodhur në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Balloc të Podujevës, raporton Llapi.info
Një arsimtar Sh.B., në shkollën “Dëshmorët e Kombit”, në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës ka sulmuar një nxënës 13-vjeçar në këtë shkollë.
Babai i 13 vjeçarit T. R., për Llapi.info ka thënë se rrahja e djalit të tij nga arsimtari, ka ndodhur sot, siç pretendon ai për arsye banale. Thotë se rastin e ka paraqitur në Polici si dhe në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Podujevës.
“Djali është zgju me mbyllë derën e klasës pasi që kishte të ftohët, kur është kthyer e ka kap për fyti pa kurrfarë arsye. Rasti është paraqitur në Polici si dhe në nivel komunal”, ka thënë Rama.
Viktima, 13 vjeçar pas trajtimit mjekësor në Emergjencë, për momentin është duke dhënë edhe deklaratë në Stacionin e Policisë në Podujevë në prani të prindit. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja për Informim në stacionin policor, Antigona Çitaku- Dibrani.
“Në orën 13:30 kemi marrë një informatë se në shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” në Lagjen Kuvajtit, se një nxënës është sulmuar nga një mësimdhënës i kësaj shkolle. Nxënësi veç është trajtuar në Emergjencë edhe është thirrur në stacion edhe është duke u intervistuar në prani të prindit. Për më tutje, pas marrjeve të deklaratave, në konsultim me prokurorin do të shikohen elementet e rastit se si do të titullohet”, ka thënë Çitaku Dibrani./Llapi.info