Dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, pranon se ishte pjesëtar i një grupi kriminal i cili ka kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasje politike për qëllime të themeluesve të tij, njofton Klan Kosova.

Grupi, pjesë e të cilit ishte ai i kishin organizuar pritë një patrulle të policisë së UNMIK-ut, më 2004, më rrugën Podujevë-Prishtinë.

Arsyeja ishte banale – ky grup pretendonte ta poshtëronte policinë dhe administratën e UNMIK-ut. Prita ishte njëfarë presioni për ta bërë misionin e OKB-së të largohet nga Kosova. Por, plani nuk shkoi siç ishte paraparë.

Policët e UNMIK-ut hapën zjarr dhe për pasojë pati të vrarë nga të dyja palët. Shkumbini ishte i vetmi që u gjykua për këtë rast, me gjithë që ai vetë pretendon se nuk shtiu fare drejt policëve, me zolën e tij.