Disa nga bizneset prodhuese në Kosovë thonë se nuk janë as në favor të mbajtjes së taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia e Bosnje e Hercegovina, por as për reciprocitet. Këto biznese thonë se janë në favor të një ambienti afarist ku ka konkurrencë të barabartë dhe të drejtë.

Qeveria e kaluar, në nëntor të vitit 2018, pati vendosur taksën doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, por kjo taksë po shqyrtohet aktualisht nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, që të zëvendësohet me reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, që merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, tha për Radion Evropa e Lirë se si prodhuesit kërkojnë të jenë të barabartë në treg dhe asgjë më shumë.

“Si prodhuese nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm të jemi të barabartë. Nëse dikush ka të drejtë ose barkodi i një shteti tjetër të jetë prezent në Kosovë, e njëjta gjë të vlen edhe për neve të pranohet edhe barkodi dhe produktet tonë të lejohen të jenë prezent në atë shtet”, thotë Kosumi.

“Ne nuk i frikësohemi konkurrencës, por kërkojmë të jemi të barabartë. Produktet e Serbisë nuk janë as më të mira as më të lira, por e vërteta është se barkodi i Serbisë pranohet në Kosovë, ndërkaq nëse ne dëshirojmë t’i shesim në Serbi produktet tona, barkodi që është 039 dhe si shenjë identifikuese e Kosovës, nuk lejohet në Serbi”, shprehet Kosumi.

Gjatë kësaj javë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, ka theksuar se do të tarifa 100 për qind do të hiqet dhe do të zbatohet reciprociteti i plotë tregtar me Serbinë.

Kurti ka thënë se qeveria që ai udhëheq, nuk është për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

“Produktet që prodhohen në Kosovë, e të cilat i nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës jolojale do të mbrohen. Parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës, do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe në CEFTA”, ka thënë Kurti, duke shtuar se qeveria e tij nuk do të marrë vendim për ekonominë e prodhimtarinë, pa diskutuar dhe konsultuar prodhuesit.

Kryeministri Kurti ka thënë se posa të marrë rekomandimet e grupit punues, i përbërë nga institucionet dhe përfaqësuesit e bizneseve, që do t’i përmbledhin të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, do t’i analizojnë rekomandime dhe do të marrin vendim për largim të tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit.

Sylejman Konushevci, pronar i fabrikës së vajit “Inter- company” nga Podujeva, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të donin nga qeveria e re të arrinte të krijonte një ambient afarist të mirë për bizneset prodhuese dhe të barabartë në treg.

“Në kushte normale, sikur të ishte Serbia një shtet i cili do të ishte një fqinj i mirë dhe i cili do ta njihte pavarësinë e Kosovës,nuk do të kishte nevojë as për taksë e as reciprocitet. Por, duke pasur parasysh sjelljen e Serbisë në raport me Kosovën, taksa ka qenë e mirë për ne prodhuesit, pasi që Serbia me një ekonomi të fortë na ka dëmtuar. Po ashtu, Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje tregtare siç është edhe CEFTA. Prodhimet serbe të cilat kanë ardhur në Kosovë kanë pasur mbështetje dhe stimulim nga shteti i Serbisë”, thotë Konushevci.

Ai tregon se ka pasur raste të shumta kur i kanë eksportuar produktet e tyre në Serbi, por atje problemi ishte me mosnjohjen e dokumentacionit të Kosovës, kështu që kanë hasur në barriera të shumta tregtare.

“Kemi pasur raste kur kemi eksportuar produktet në Serbi, maunat tona kanë qëndruar deri në 20 ditë në terminal të Serbisë dhe e kanë dërguar mallin në analiza të shumta, duke e penguar dhe duke vendosur barriera në mënyrë që të mos lejojë mallin tonë të hyjë në tregun e tyre”, thotë Konushevci.

Heqjen e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se është e nevojshme që tarifa të hiqet pasi që është në kundërshtim me frymën e zotimeve që Kosova ka ndërmarrë në raport me shtetet tjera.

“Tarifa, si e tillë, duhet të rishqyrtohet dhe të hiqet menjëherë nga ana e qeverisë së re ashtu që të mund të kalojmë në një fazë tjetër ku diskutohet për raporte të reja, edhe tregtare, edhe çfarëdo lirie tjetër që mund të diskutohet. Duhet të flasim për eliminimin e të gjitha problemeve të natyrës politike që kanë ekzistuar në të kaluarën, të cilat pastaj do të mundësonin edhe njohjen e dokumentacionit, edhe njohjen e procedurave të plota që lëshohen nga njëri shtet dhe njihen nga shteti tjetër”, ka thënë Zeka.

Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet. Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ndërkaq kohët e fundit, pas formimit të qeverisë së re, presioni diplomatik mbi Prishtinën zyrtare që të shfuqizojë vendimin për taksën është rritur, me synimin që edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes dy vendeve. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Prishtina që pas heqjes së taksës të mos vendosë barriera të tjera, përfshirë edhe masën e reciprocitetit.