Asfaltimi i rrugëve që po bëhet nga Komuna e Podujevës nuk po u mjafton qytetarëve të saj. Kjo pasi që sot në debatin publik të organizuar nga Komuna asfaltimi ishte kërkesa kryesore e përfaqësuesëve të fshatrave, njofton Llapi.info.

Tema e këtij debate ishte Korniza afatmesme buxhetore për vitin 2017/2019.

Prej të pranishmëve në këtë debat përfaqësuesit e fshatit Ballofc, Sfeqël, Penuhë, Llaushë, Llapashticë e ulët, Llapashticë e Epërme, Sibofc, Shajkofc, Gllamnik, Dumosh, Kunushec, Letanc dhe Obrançë parashtruan kërkesat e tyre për asfaltimin e rrugëve të cilat ata i shihnin të arsyeshme.

Për kërkesat e tyre ata morën përgjigje nga Drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Durim Salihu i cili ka bashkëbiseduar me secilin parashtrues së kërkesave duke ju shpjeguar për hapat e mëtutjeshëm për ato rrugë.

Salihu gjithashtu përmendi edhe memorandumet që i ka nënshkruar Kryetari i komunës së Podujevë Agim Veliu me Ministrinë e Infrastrukturës dhe me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinorë.

“Neve Komunës na u kanë krijue disa lehtësira në këtë gjashtëmujorshin e dytë në aspektin financiar tek bashkëfinancimi i realizimit të projekteve është një meritë e kryetarit që i ka nënshkruar dy memorandum të mirëkuptimit, njëri është me ministrinë e Infrastrukturës që brenda tri viteve komunës sonë i janë nda 2 milion e 300 mijë euro për realizimin e projektit të infrastrukturës rrugore”- tha ndër të tjera Salihu.

Ky ishte debati i tretë që Komuna e Podujevës ka organizuar me qytetarë. Dy debatet tjera që janë mbajtur në fshatin Lluzhan dhe Kërpimeh./ Llapi.info