Pronarët e transportuesve të udhëtarëve nga Podujeva sot kanë hyrë në grevë, duke anuluar kështu të gjitha transportimet e mundshme të qytetarëve për në Prishtinë e anasjelltas, raporton Llapi.info.

Ata për Llapi.info thanë se nuk e kanë ndërmend që të fillojnë punën deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga Komuna e Podujevës. Kanë thënë se e gjithë kjo grevë do të varet prej komunës. Sipas pronarëve të autobusëve të këtij relacioni, puna e tyre po pengohet nga taksitë ilegalë.

Kryetari i 25 kompanive të transportuesve të këtij relacioni, Beqir Mustafa për Llapi.info ka thënë se greva e cila ka nisur sot në orën gjashtë të mëngjesit do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Sipas tij, edhe pse janë paralajmëruar më parë se do të ketë protesta, Inspektorati komunal i Podujevës dhe Policia e Kosovës s’kanë punuar në largimin e taksive ilegale.

“Greva e nisur do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave tona. As që e kemi ndërmend me u ndal, derisa të bëhet një marrëveshje”, ka thënë Mustafa për Llapi.info

Pronarët shprehen se nëse nuk ndërmerret ndonjë gjë në lidhje me këtë, do të ketë edhe bllokim rruge.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi i ka thënë portalit Llapi.info se inspektorët janë vazhdimisht duke punuar në atë drejtim.

“Inspektorët e komunikacionit në Komunën e Podujevës janë vazhdimisht në teren, ndërsa javët e fundit, me përkrahje të shtuar të Policisë së Kosovës, kanë intensifikuar aktivitetin në parandalimin e operimit të taksive ilegalë”, ka thënë Elezi javë më parë.

Sipas Elezit, inspektorët në vazhdimësi shqiptojnë gjoba, ndërsa në raste të caktuar bëjnë edhe konfiskimin e automjeteve që operojnë ilegalisht taksi.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i 25 transportuesve, Beqir Mustafa, i cili ka theksuar se në këtë drejtim nuk është punuar fare, përkundër paralajmërimeve.

Derisa të gjithë autobusët qendrorin të parkuar në stacionin e tyre, qytetarë të shumtë nga Podujeva janë parë duke pritur për taksi ilegal për të udhëtuar drejt kryeqytetit, pasi që të gjithë tashmë ishin nisur.

Kujtojmë, pronarët e autobusëve gjatë javës së kaluar edhe kanë mbajtur një formë proteste duke mos qëndruar në Stacionin e Autobusëve, teksa edhe kanë qëndruar nëpër trotuare të parkuara, ashtu edhe si taksistët./Llapi.info