Ishte pikërisht data 28 nëntor 2016, kur në orët e para të mëngjesit është raportuar për gjetjen e një kufome mashkulli rreth 45 vjeçar, buzë rrugës që lidh fshatin Dumosh me fshatin Batllavë.

Përpos viktimës në fjalë, në afërsi të kufomës ishte arritur të gjendeshin edhe dy gëzhoja të një arme.

Ndërsa nga Zyra e Informimit të Policisë është thënë për Indeksonline se lidhur me këtë rast është duke u punuar intensivisht deri në përfundim të hetimeve.

Po ashtu është bërë e ditur se për më shumë se 2 muaj pas gjithë kësaj ngjarje nuk ka ende asnjë person të arrestuar, raporton Indeksonline.

“Policia në koordinim me Prokurorinë kompetente, janë duke punuar intensivisht në hetimin e të gjitha pistave të mundshme që lidhen me rastin në fjalë. Deri me tani nuk ka te arrestuar për këtë rast”, është thënë në përgjigjen e këtyre të fundit.

Gjithashtu është bërë e ditur se rasti nga ana e Prokurorit të shtetit është cilësuar si vrasje e rëndë, por që hetimet e rastit janë aktualisht në një fazë tejet të ndjeshme dhe për këtë arsye detajet vazhdojnë të mbesin brenda përbrenda hetuesisë.

“Pasi që hetimet e rastit aktualisht janë në një fazë shumë të ndejshme dhe mund të ndikoj keq në vazhdën e hetimeve. Gjithsesi pas përfundimit të hetimeve lidhur me këtë rast, mund të merrni përgjigjet e kërkuara”, është përfunduar nga ZIMP.

Varrimi i personit me inicialet SH.P, është bërë menjëherë një ditë pas vrasjes.