Teksa ka folur rreth Asociacionit njohësi i çështjeve politike Agron Halitaj, ka thënë se qyshkur është themeluar ekipi menaxhues për hartimin e projektit të statutit për krijimin e AKS-së ka qenë e pritshme që anëtarët e këtij ekipi do t’i shpërfillin institucionet e Kosovës dhe do të komunikojnë drejtpërdrejt me Beogradin dhe me Brukselin, shkruan gazeta “Zeri”.

Këtë rrugë sipas tij, e kanë trasuar vetë liderët institucionalë të Kosovës, pasi kanë dhënë bekimin që statuti i AKS-së të përpilohet vetëm nga një trupë etnike serbe.

“Me këtë veprim liderët vendës pavarësisht ‘duartrokitjeve’ që kanë marrë nga faktorët e jashtëm kanë bërë gabimin e dytë të madh, pasi gabimi i parë ishte bërë në Bruksel me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për AKS-në, duke mundësuar që Serbia të përzihet në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës, çka është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Rezolutën për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

Halitaj tutje nuk ka përjashtuar shpërfaqjen e tensioneve në momentin kur AKS-ja do të tentohet të bëhet me kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe aktualisht është ‘bombë e kurdisur’ për Republikën e Kosovës. Duke marrë parasysh pretendimet e serbëve lokalë është e pritshme që statuti i AKS-së të parashohë krijimin e një entiteti me fuqi ekzekutive. Pa dyshim që kjo do të jetë e papranueshme për Qeverinë e për Presidencën e Kosovës dhe për rrjedhojë mund të shpërthejnë tensionet në komunat veriore për ta jetësuar atë që parashihet me statut”, është shprehur ai.

Një gjendje e re e krijuar në atë pjesë sipas tij do t’ua imponojë palëve të përfshira në dialogun e Brukselit që ta shtrojnë në tavolinë të bisedimeve ndarjen ose korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lëvizja e kufijve ka pak gjasë se do të lejohet nga faktorët me ndikim në politikën botërore dhe si përfundim, si zgjidhje kompromisi ose si zgjidhje ‘win-win’ mes palëve serbëve në veri mund t’u jepet ‘autonomia substanciale’. Realizimi i një skenari të tillë do ta bënte shtetin e Kosovës tërësisht jofunksional”, ka vlerësuar Halitaj.

Kurse Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit direkt në Bruksel pa kaluar në Qeveri e vë shtetin e Kosovës para një akti të kryer.

“Kuvendi ka ratifikuar Asociacionin, që do të thotë nuk ka më punë me këtë marrëveshje. Shpresa e vetme ka qenë Gjykata Kushtetuese dhe konfirmimi që ky statut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”, ka deklaruar Murati.