Të martën, Komiteti i Mirëqenies Sociale vendosi të rrisë përfitimin për personat e papunësuar.
Zgjatja e rritjes së ndihmës emergjente, e njoftuar nga Qeveria austriake, u vendos të martën në Komitetin e Mirëqenies Sociale. Personat, të cilët për shkak të pandemisë nuk janë të punësuar, do të vazhdojnë të marrin një shtesë prej 55 eurosh në muaj deri në fund të qershorit, raporton heute.at, transmeton albinfo.at.

“Në funksion të situatës sfiduese të pandemisë, zgjatja ishte e domosdoshme dhe korrekte për t’u ofruar të papunëve mbështetje të mëtejshme gjatë krizës nëpër të cilën po kalojmë”, tha ministri i Punës, Martin Kocher. “Ne kemi hedhur themelin për trajtimin e mëtejshëm të ndihmës së rritur emergjente në seancën plenare të Këshillit Kombëtar”, tha Kocher.

Zgjatja e ndihmës emergjente është veçanërisht e rëndësishme për njerëzit që nuk kanë qenë në gjendje të punojnë për disa muaj për shkak të mbylljeve aktuale, përcjell albinfo.at. “Fatkeqësisht, situata aktuale shëndetësore nuk lejon të marrim hapa të mëtejshëm për hapjen e vendpunimeve në zona të caktuara”, nënvizoi Kocher.