Mbrëmë pas orës 24:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, dhe menjëherë Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë dale në teren për të pare nëse ndonjë lokal apo person fizik nuk po i respekton ato.

Cak i inspektoratit mbrëmë ka qenë rajoni i Dukagjinit, ku kanë zhvilluar aksion në qytetin e Pejës, ku janë shqiptuar edhe gjoba për disa lokale të gastronomisë.

Nga AUV kanë bërë të ditur për Gazetën Online “Reporteri.net” se në teren do të jenë rreth 100 inspektorë të cilët do të shpërndahen në komunat e vendit.

“Në teren do të jenë 90 inspektorë që do të merren konkretisht me COVID-in, pra sa po respektohen masat, kurse janë edhe 10 inspetorë sanitarë të cilët përveç punës së përditshme, poashtu do të shikojnë nëse lokalet po i respektojnë apo jo masat anti-COVID”, ka deklaruar Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-it për Reporteri.net.

Ai ka bërë të ditur se janë tre ekipe që do të lëvizin nëpër komuna, dhe inspektimet fillojnë nga orët e hershme të mëngjesit dhe përfundojnë në mesnatë.

“Poashtu kemi tre ekipe me nga dy inspektorë që do të lëvizin nëpër komuna, me qëllim që të mos inspektojnë vetëm në njëvend. Inspektimet i nisim nga orët e hershme të mëngjesit dhe përfudnojnë në mesantë”, ka pohuar Thaçi për Reporteri.net.

Thaçi, ka treguar se mbrëmë kanë zhvilluar një aksionin e zhvilluar në qytetin e Pejës janë shqiptuar gjoba ndaj disa bizneseve.

“Mbrëmë në rajonin e Pejës, kemi filluar nga ora 7 me inspektime, kryesisht në lokale të gastronomisë, aty ku është pika kritike e kontrollit. Me policinë po mbikëqyrim masat anti-COVID në tërë Kosovën. Te nëntë operatorë të biznesit janë shqiptuar gjoba dhe katër lokale jemi detyruar ta zbrazim dhe ka pasuar me mbyllje sepse edhe pas gjobës nuk i ka përfillur rregullat dhe urdhëresat nga inspektori, poashtu janë shqiptuar dënime ndaj 7 personave fizik”, ka bërë të ditur Thaçi për Reporterin.

Ai ka thënë se nuk ka pasur tejkalim të sigurisë nga dikush gjatë këtij aksioni dhe se policia gjithnjë është në gatishmëri.

Thaçi tha se aksionet e AUV-it do të vazhdojnë edhe sot në të gjitha komunat e vendit, andaj kërkoj nga bizneset dhe qytetarët t’i respektojnë masat anti-COVID.

“Nga gjobat për mosrespektim të masave nuk kursehet askush, pavarësisht nëse janë persona publikë apo qytetarë të thjeshtë. Secili do jetë i barabartë para ligjit. Kudo që hasim shkelës, njëjtë do të pasojë gjoba sikur për të gjithë”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se masat e reja anti-COVID kanë hyrë sot në fuqi dhe do të jenë deri më 18 prill.
Gastronomët kanë paralajmëruar qeverinë se pas 18 prillit, më nuk do t’i respektojnë masat dhe do t’i hapin lokalet për klientët.