Në Samitin e fundit të NATO-s shteti fqinj i Kosovës, Maqedonia, ka marr ftesën për anëtarësim NATO, kurse Kosova ende as nuk e ka nisur procesin e anëtarësimit në NATO këtë aleancë ushtarake, e cila është prezente në vendin tonë që nga viti 1999. Një proces i tillë, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, duket se nuk është as prioritet i institucioneve të Kosovës.
Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) tha për Telegrafin se zvarritja e procesit të anëtarësimi të Kosovës në NATO Po ndodhë për shkak të arsyeve politike, në rend të parë.
“Rrjedhimisht, Kosova dhe institucionet e saj ende nuk kanë vendosur marrëdhënie kontraktuale me NATO-n si pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga katër vende anëtare të kësaj organizate, gjegjësisht Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Nga këto vende mos njohëse, Spanja vazhdon të jetë bllokuese për Kosovën qoftë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e NATO-s, qoftë për hyrjen e Kosovës ne programin Partneritet për Paqe të NATO-s ose edhe për nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO”, tha Avdiu, për Telegrafin.
Sipas tij, edhe pse Kosova ka qasje të pjesshme në disa prej programeve të NATO-s, megjithatë kjo është e pamjaftueshme për shkak se nuk bëhet direkt me selinë e NATO-s në Bruksel, por përmes KFOR-it ose NALT-it (Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s – mision teknik i NATO-s në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës) në Prishtinë. “Si pasojë e këtyre pengesave politike, Kosova pothuajse është në piken zero sa i përket anëtarësimit në NATO”.
“Edhe kur rasti krahasohet me Maqedoninë, Kosova ka mbetur mbrapa shkaku i këtyre pengesave politike marrë parasysh që NATO e sheh Kosovën në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbi bazën e të cilit funksionon misioni i KFOR-it në Kosovë”.
Avdiu thotë se pavarësisht këtyre pengesave politike, institucionet kosovare kanë kultivuar kryesisht retorikë boshe e politike sesa që vërtetë kanë punuar për të intensifikuar nisjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO.
“Në këtë kontekst, duhet të ketë bashkëpunim bilateral më të mirëfilltë me shtetet përkrahëse të NATO-s që kanë njohur Kosovën për të shtyrë përpara nevojën për përafrimin e vendit tonë me NATO-n. Sidoqoftë, duket se një çështje e tillë nuk është prioritet kryesor i institucioneve të Kosovës meqë të gjitha energjitë duket se i kanë fokusuar tek dialogu me Serbinë”, tha ai.