Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se është duke bërë politikë pa as një vizion pasi sipas tij Qeveria është duke diskutuar çështjen e targave që është një çështje ligjore dhe kushtetuese dhe s’po dialogon në Bruksel për marrëveshje finale me njohje reciproke.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk e ka fokusin të marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Këto nuk janë çështje të politikës lokale që ti e bënë një veprim i frymëzuar nga militantët e partisë për t’iu kënaqur apetitet”, ka theksuar ai.

Më tej Hoti ka theksuar se vendimi për konvertimin e targave ilegale “KM” në “RKS” është për keqardhje pasi ka pasur moskoordinimin me aleatët ndërkombëtarë, veçmas ShBA-në.

Sipas tij shenjat e para për prishjen e raporteve me ShBA-në janë dhënë, “ngjashëm sikur në kohën e Qeverisë Kurti I”.

“Atëherë ka pasur edhe reagim publik se janë artificiale këto veprime. Prapë i kanë dhënë të njëjtat shenja, shtyrja e vizitave të disa ministrave në ShBA me insistim eksplicit të palës amerikane se duhet të qëndrojnë këtu, ky është mesazhi që të japin”, ka përfunduar ai për Kosova Press.