Avionët luftarak izraelitë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm kanë vazhduar bombardimet në qendrën e qytetit Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendbanimet civile janë dëmtuar rëndë nga sulmet izraelite dhe gjithashtu shumë automjete janë bërë të papërdorshme.

Dhuna izraelite në qytetin e Kudsit çoi në ofensivën e fundit ndaj Rripit të Gazës që filloi të hënën.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 43 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite dhe mbi 296 të tjerë janë plagosur.

Po ashtu pesë izraelitë kanë humbur jetën dhe 45 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa të lëshuara nga grupi i rezistencës palestineze ‘Hamas’.

Që nga java e kaluar, tensionet kanë qenë të lartë në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor kur kolonët izraelitë u futën në zonë pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze.

Palestinezët që protestojnë në solidaritet me banorët e lagjes Sheikh Jarrah janë vënë në shënjestër të forcave izraelite.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.