Screenshot

Avokati i Popullit ka kërkua që vendimi për shtrenjtimin e rrymës të pezullohet.

Përmes një reagimi, ky institucion ka bërë me dije se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) duhet të pezulloi vendimin me rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Sipas këtij institucioni, ky vendim është marrë në kohen e një boshllëku institucional.

“Avokati i Popullit thekson se Vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë ngrit shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë. Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, është thënë në reagimin e Avokatit të Popullit.

Ky institucion ka vlerësuar se vendimin për shtrenjtimin e rrymës duhet të jetë transparent.

“Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike. Vendimet që prekin në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohë kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror. Avokati i Popullit thekson nevojën që organet e pavarura si ZRrE, duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe”, ka vlerësuar Avokati i Popullit.