Shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Podujevës, Fitim Haziri, ka paraqitur edhe te Avokati i Popullit ankesën që sipas tij, KEDS-i po bënë shkelje me vendosjen e njësorëve të rrymës në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info
Ndalimin e vendosjes së njësorëve në shtylla sipas Hazirit, ka ardhur pasi që KEDS-i ka shkelur parimet e barazisë. Sipas tij, kjo kompani diku ka vendosur njësorët poshtë shtyllave e diku sipër tyre.
Këtë kërkesë për të nisur hetimin ndaj KEDS-it për ndonjë shkleje të mundshme, e ka pranuar edhe Avokati i Popullit. Këtë e ka bërë të ditur vetë Haziri përmes një postimi në Facebook.
“Si Lëvizje Vetëvendosje asnjëherë nuk jemi ndalur së punuari për të mbrojtur interesat tuaja, të drejtat tuaja duke vepruar në çfarëdo forme vetëm e vetëm që të arrijmë qëllimin e përbashkët si qytetarë të barabartë në të gjithë globin pa u nënshtruar ndaj askujt, qoftë vendor apo i jashtëm. Shkeljet e të drejtave elementare që po iu bëhen qytetarëve nga kompania KEDS, e që janë siguria, barazia dhe transparenca, i kemi adresuar te Avokati i Popullit për të marrë mendimin e tij. Kjo kërkesë e jona është pranuar për të bërë hetimin e shkeljeve eventuale të mundëshme të pohuara. Ne do të bashkëpunojmë çfarëdo që na kërkohet nga Avokati i Popullit vetëm e vetëm që drejta e qytetarit të jetë më e larta se çfarëdo forme e përfitimit, qoftë individual apo të ndonjë kompanie. Të punojmë që t’ua kthejmë shpresën qytetarëve!”, ka shkruar ai.
Kujtojmë, për këtë çështje është diskutuar edhe në Kuvendin e Komunës, ku pas kërkesës së VV-së për t’ia ndalur KEDS-it vendosjen e njësorëve të rrymës nëpër shtylla, nuk u miratua pas kundërshtimit të LDK-së./Llapi.info