Lidhur me dyshimet se njëri prej gjashtë shtetasve turq të ekstraduar për në Turqi është ekstraduar gabimisht, Avokati i Popullit Hilmi Jashari ka thënë se këtë informatë e ka marrë, mirëpo nuk e ka të konfirmuar dhe nuk është as pjesë e raportit të institucionit që drejton.

Ai ka thënë se fokusi i tyre ka qenë shkelja e të drejtave të personave që janë arrestuar e deri në dorëzimin te autoritetet turke dhe se për këtë kanë konstatuar shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve nga ana e autoriteteve shtetërore të Kosovës.

“Në fakt nuk e kemi marrë këtë çështje, e kemi këtë informacion, jemi në dijeni mirëpo nuk është trajtuar në kuadër të raportit, sepse fokusi ynë ka qenë ekskluzivisht për të parë shkeljet që janë bërë gjatë gjithë këtij procesi. Në rrethana normale edhe këta persona që janë dëbuar, para dëbimit e kanë për obligim autoritetet me i pyetur nëse kërkojnë mbrojtje nga e drejta e azilit…mirëpo ne po supozojmë që as kjo mundësi nuk u është dhënë, sepse sigurisht që sikurse t`u ishte dhënë, po besoj që ata persona duke e ditur kërcënimin që e paraqet shteti i tyre nëse këta do t`u dorëzoheshin sigurisht që kishin me e kërkuar një mbrojtje të tillë”, ka thënë Jashari.

Jashari ka treguar se në rastin e ekstradimit shtetasit turq nuk kanë pasur as avokat, e as përkthyes.

“Nuk kanë pasur përkthyes, nuk kanë pasur as avokat mbrojtës që është një prej obligimeve të para edhe e gjitha kjo në njëfarë mënyre e bënë shumë arbitrar procesin e arrestimit deri në momentin kur ata u janë dorëzuar autoriteteve turke në aeroportin e Prishtinës”, ka thënë Avokati i Popullit./Kallxo.com