Babë e bir, Ibrahim dhe Granit Rafuna, kanë mohuar të kenë qenë në dijeni se në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Shkabaj, ishin të mbjella 11 rrënjë bimë, të llojit kanabis.
Për këtë, Ibrahim dhe Granit Rafuna, tash po akuzohen për veprën penale “kultivimi i bimës së hashashit ose bimëve të kanabisit”, e të cilët në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ata kanë dhënë mbrojtjen e tyre.Granit Rafuna, ka deklaruar se ai kishte gjetur te “Xhamia e Llapit” në Prishtinë një qese të bardhë me fara, pranë vendit ku shiteshin fara të luleve dhe të pemëve, e që ato ai ka thënë se i kishte dërguar në shtëpi dhe i kishte derdhur nëpër oborr.
“Farat i kam shpërndarë në oborr, mirëpo nuk i kam mbjellë, vetëm i kam hedhur në tokë dhe në disa vazo në shtëpi, e pas një kohe ato kishin mbirë, por që unë kam menduar se janë lule”, tha Rafuna.Ai deklaroi se për oborrin dhe kopshtin e shtëpisë kujdeset nëna e tij, kurse vetëm pasi që policia kishte ardhur dhe i kishte treguar se kanë të mbjellë kanabis, Rafuna tha se kishte kërkuar në internet për tu informuar se për çfarë lloj droge bëhej fjalë, raporton Betimiperdrejtesi.com.Sipas tij, kur policia kishte ardhur për ta kontrolluar vendin, në shtëpi nuk kishte qenë babai i tij, por që i njëjti me anë të telefonit ishte njoftuar të vinte në shtëpi.Në fund Rafuna tha se nuk ka pasur dijeni se ato fara kanë qenë drogë dhe që as babai i tij, nuk kishte ditur asgjë.“Unë për fund veç po thom se baba jem as që e ka ditë që i kam hedh ato fara n oborr, se s’po du me marrë në qafë babin pa pas faj”, tha i akuzuari Granit Rafuna.
Kurse, Ibrahim Rafuna, po ashtu deklaroi se nuk e kishte ditur se në oborr po kultivohej kanabisi, pasi që sipas tij, ai me familjen mbjellin vetëm gjëra që iu nevojiten për përdorim gjatë ditës, siç janë specat, domatet, misri e qepët.“Unë nuk e kam ditë për këtë rast, veç më ka thirr djali e më ka thanë hajde se kanë ardh policia e ata më kanë thanë çka jonë këto bimë të kanabisit, unë ju kam than se nuk e di se nuk merrem me kësi gjanash e s’kam dijeni.
Unë as lulet nuk di t’i dallojë njërën nga tjetra, kurse me kopshtin merremi unë e gruaja, por që ato bimë edhe pse i kam parë nuk e kam ditur se çka janë”, tha Rafuna.Në këtë seancë prezantuan edhe prokurorja Ferdane Sylejmani, e cila nuk i parashtroi asnjë pyetje të akuzuarit Granit Rafuna, pasi që ajo tha se është vetëm duke zëvendësuar prokuroren e rastit dhe mbrojtësit e dy të akuzuarve të caktuar sipas autorizimit zyrtar, avokatët Donikë Dobruna dhe Shpend Vokshi.Pasi që mbrojtësja e Granit Rafuna, avokatja Dobruna deklaroi se nuk është e gatshme të vazhdojë me fjalën përfundimtare për këtë rast, seanca u ndërpre për të vazhduar më 28 qershor 2018, në orën 10:30.Përndryshe në këtë shqyrtim u dhanë edhe fjalët hyrëse të palëve ku të akuzuarit edhe njëherë deklaruan se ndihen të pafajshëm dhe u bë administrimi i provave, e ndër to u propozuan edhe disa prova që ishin fotoalbume dhe raporti i forenzikës për këtë rast nga ana e prokurores Sylejmani.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë më 21 gusht 2015, ndaj Granit Rafuna dhe Ibrahim Rafuna, me pretendimin se të njëjtit pa autorizim kishin kultivuar bimë kanabis me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotropike në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Shkabaj.
Granit e Ibrahim Rafuna thuhet se prej kohës së pavërtetuar mirë kanë mbjellë bimë kanabis të cilat i kanë ujitur dhe përkujdesur për to deri më 30 qershor 2015, kur ishin kontrolluar nga policia.Sipas kësaj aktakuze, në kopsht nga kontrolli i policisë ishin gjetur nëntë bimë të dyshuara narkotike “kanabis-sativa” me lartësi prej 50 cm ndërsa në vazo po ashtu kanë qenë të mbjella dy bimë të të njëjtit lloj, duke bërë kështu 11 rrënjë gjithsej të mbjella nga kjo bimë.Andaj në bazë të kësaj, të pandehurit në fjalë pretendohet se kanë kryer veprën penale “kultivimi i bimës së hashashit ose bimëve të kanabisit”, nga neni 278 i KPK-së.