Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dënuar ashpër incidentin që ka ndodhur të hënën në orët e mbrëmjes, kur një i ri serb është plagosur në fshatin Suhadoll, që i takon Komunës së Mitrovicës Jugore.
”Unë dhe qytetarët e Komunës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, e dënojmë fuqimisht këtë incident të papranueshëm, i cili ka ndodhur në kohën kur situata e përgjithshme në Komunë është stabile, kur lëvizja dhe qarkullimi i lirë i qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër është normalizuar dhe kur raportet ndëretnike janë në përmirësim e sipër”, thotë ai.
Kryetari Bahtiri në reagimin e tij ka shtuar se, ndonëse ende nuk dihen motivet e as rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti, qarqe të caktuara ekstremiste që nuk duan stabilizim, që nuk duan përmirësim të raporteve ndëretnike dhe as zhvillim ekonomik, po bëjnë përpjekje që të shfrytëzojnë këtë incident të izoluar për të destabilizuar situatën në të dyja komunat, duke ngritur tensione dhe duke futur frikë tek qytetarët, me qëllim të realizimit të projekteve të tyre të errëta.
Po ashtu Bahtiri, kërkon nga organet e hetuesisë dhe të drejtësisë, që të ndriçojnë sa më parë rastin, në mënyrë që të mos u lejohet hapësirë për aktivitete destruktive atyre që nuk ia duan të mirën Mitrovicës dhe qytetarëve të saj, si në pjesën jugore, ashtu edhe në atë veriore të lumit Ibër.