Kanë kaluar më shumë se dy vite nga fillimi i punimeve për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, që përkon me lirinë e lëvizjes.
Mirëpo, përurimi i revitalizimit të kësaj ure që do të duhej të bëhej në vitin 2017 ende nuk ka ndodhur.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë së ende nuk ka marr ndonjë lajm se kur mund të bëhet përurimi i kësaj ure edhe pse sipas tij, është dashur që të bëhet këtë muaj.
Bahtiri tregoi se të premten ka biseduar me shefen e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova e cila i ka thënë se pas dy javësh pritet të bëhet përurimi i urës në Mitrovicë.
“Marrëveshja ka qenë që ura të përurohet, këtë muaj. Ne po presim nga zyra e BE që të filloj procedurat e hapjes së urës. Ende nuk kemi një lajm të tillë. Dje kam kërkuar nga Apostolova por më ka thënë që pas dy javësh do të bëhet diçka e tillë”, ka thënë Bahtiri, për Telegrafin.
Ai po ashtu theksoi se ndihet i revoltuar për datën e shtyrjes së përurimit të revitalizimit të urës mbi lumin Ibër, duke apeluar tek Bashkimi Evropian (BE) si dhe tek qeveria e Republikës së Kosovës që të reagojnë nga kjo shtyrje e afatit përurues.
“Jam i revoltuar, pasi çdo herë po shtyhet pa asnjë arsye hapja e urës. Apeloj tek BE dhe tek qeveria e Kosovës që të reagojnë ashpër nga kjo shtyrje. I ka ardhur fundi kësaj, të shpejtohen procedurat pasi ura lidh qytetin dhe kombësitë që jetojnë në Mitrovicë. Apeloj të hapet sa më shpejt, sepse qytetarëve iu ka humb durimi”, ka thënë kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ndërkaq, kohë më parë Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka thënë për Telegrafin se presin që marrëveshjet e arritura brenda dialogut, duke përfshirë edhe revitalizimin e urës të zbatohen plotësisht.
“Ashtu si me të gjitha marrëveshjet e tjera të arritura brenda dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, BE pret gjithashtu që marrëveshja për urën e Mitrovicës të zbatohet plotësisht pa vonesa të mëtejshme. Diskutimet e ardhshme në nivelin e negociatorëve kryesorë duhet të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.
Ndryshe, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë ka nisur më 14 gusht të vitit 2016, me një investim në vlerë prej 1 milion e 45 mijë euro, në bazë të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015, në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.