Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që falja e Kurban Bajramit të bëhet në sheshin e Mitrovicës.

“Pas lajmit të publikuar për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit në xhamia, sot i jam drejtuar Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me kërkesë për shqyrtimin e mundësisë së lejimit të faljes në sheshin e Mitrovicës”, shkroi Bahtiri në Facebook.

Bahtiri thotë se si institucion komunal në bashkëpunim me degën e BIK-ut në Mitrovicë, janë të gatshëm t’i bëjnë gjitha përgatitjet e nevojshme që falja e namazit të Kurbam Bajramit të organizohet në sheshin e Mitrovicës.

“Kjo duke respektuar rekomandimet e IKShP-së për mbajtjen e distancës sociale prej 1.5 metra përmes vendosjes së pikave, bartjes së maskave dhe materialit dezinfektues. Të dashur qytetarë të Mitrovicës, mendoj se kjo është edhe kërkesë e juaja dhe shpresoj të shqyrtohet seriozisht nga BIK-u”, përfundoi Bahtiri.