G.K, pronar i një kompanie prodhuese në Kosovë ka hequr dorë nga pjesëmarrja në ofertat e tenderimit publik, pasi, siç thotë ai, aty mund të fitojnë “vetëm kompanitë, të cilat pranojnë të japin ryshfet”.

Ai thotë të ketë konkurruar disa herë për tender publik, porse nuk ka arritur të përzgjidhet.

“Kemi hequr dorë… nuk marrim pjesë nëpër tenderë shtetërorë, është e kotë nuk mund të shtyhesh me kompani, të cilat japin ryshfet dhe e korruptojnë institucionin. Ka pasur raste kur kemi fituar një tender, por i ka rrëzuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke thyer ligjet. Ata nxjerrin vendime sipas favoreve”, thotë ai.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Korrupsionin, thotë ky pronar i këtij biznesi privat, e hasin në baza ditore në gati të gjitha institucionet e shtetit, ku ata duhet të kryejnë punë.

“Ne si kompani kemi pasur rast të përballemi me korrupsionin si në gjykata, prokurori ku aty kemi disa lëndë që janë lënë të pauzuara dhe krejt këtu kanë ndikuar kompanitë tjera, të cilat janë paditur nga ana jonë e të njëjtat kanë ndikuar në gjykata dhe në prokurori lidhur me rastet që i kemi”.

“Po ashtu, korrupsion ka në komunë. Edhe aty kemi pasur raste kur zyrtarë të inspektoratit komunal kanë kërkuar favore për të kryer punë që me ligj janë të obilguar t’i kryjenë pa pasur nevojë për t’i dhënë ryshfet”, thotë ai.

Dukuria e korrupsionit, thekson ai, e ka vështirësuar në masë të madhe të bërit biznes në Kosovë. Krijimi i një konkurrence të pabarabartë në treg, e ka dëmtuar biznesin e tij formal.

Një kompani joformale, e cila iu ik obligimeve shtetërore duke dhënë ryshfet, shton G.K, në një tender publik është në pozitë më të mirë, pasi që do të dalë me një çmim më të lirë krahasur me bizneset, të cilat punojnë në mënyrë formale.

Sipas Ligjit të prokurimit publik, autoriteti kontraktues do t’ia japë kontratën publike operatorit ekonomik që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët dhe ekonomikisht më të favorshëm në bazë të kritereve dhe peshën që është specifikuar në dosjen e tenderit.

Nuk kemi dhënë ryshfet, por jemi dëmtuar

G.K thotë se si kompani nuk dhënë ryshfet, porse mosdhënia e ryshfetit ka bërë në shumë raste t’iu shtyhen punët, gjë që e ka penguar operimin e tyre në treg.

“Ata (zyrtarët në institucione) nuk shkojnë në masën që të kërkojnë direkt ryshfet, por bllokojnë punët duke ta bërë me dije që duhet dhënë diçka (para ) për ta kryer atë punë që ke pasur ta kryesh në atë institucion. Në shumë raste ndodh kjo”, thotë ai.

Për më keq, shton G.K, më nuk kanë as ku të ankohen, pasi siç thotë ai, me dukurinë e korrupsionit kanë hasur edhe në Prokurori aty ku do të duhej të kërkohej drejtësia.

“Jemi dorëzuar, i kemi ngritur duart lart, nuk kemi ku të kërkojmë drejtësi”, thotë ai.

OEAK: Rreth 40 për qind e bizneseve kanë hasur në korrupsion

Në një studim të publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ka vënë në pah se rreth 42 për qind e të anketuarve besojnë se krahasuar me pesë vjet më parë, korrupsioni në Kosovë është rritur.

Përafërsisht 40 për qind e të anketuarve raportojnë se kanë hasur në korrupsion, që është një rritje prej 20 për qind krahasuar me studimin e vitit 2019.

Ndërsa, më shumë se 45 për qind prej tyre i kanë renditur komunat si institucionet parësore ku është hasur korrupsioni, ndjekur nga 35 për qind të cilët kanë vlerësuar Administratën Tatimore të Kosovës.

AKK: Nga 80 monitorime, 30 raste të shkeljeve në rastin e prokurimit publik
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se si agjenci në aspektin e parandalimit të korrupsionit në aktivitetet e prokurimit publik, si fusha më e korruptuar në vend, në këtë vit kanë trajtuar rreth 80 monitorime.

Nga këto monitorime kanë lëshuar 34 opinione për autoritetet kontraktuese me qëllim shmangien e shkeljeve kundërligjore.

“Nga këto opinione, të gjitha janë marrë parasysh nga autoritetet, të cilave u jemi drejtuar”, thotë Havolli.

Ai bën të ditur se bizneset kryesisht nuk e raportojnë korrupsionin në agjenci, dhe se këtë e bëjnë te mekanizmat tjerë.

Sa i përket rritjes së nivelit të korrupsionit gjatë këtij viti të deklaruar nga bizneset, Havolli thotë se nuk mund të konkludojë një gjë të tillë, pasi që kjo dukuri raportohet edhe te mekanzimat tjerë.

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, të publikuar në tetor është theksuar se korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz.

Aty ishte theksuar se nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

Kosova edhe në raportet e Bankës Botërore të quajtur “Të bërit biznes”, ishte kritikuar për nivelin e lartë të korrupsionit, dukuri kjo e cila pengon zhvillimin e biznesit.

Ndërkaq, në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetitpër Klimën e Investimeve ishte theksuar se potenciali i investimeve të huaja direkte dhe rritja ekonomike në Kosovë, përveç tjerash, janë të kufizuara edhe nga korrupsioni.