Partia e Ballit Kombëtar, dega në Podujevë, në çdo palë zgjedhje po del në mbështetje të partive të ndryshme, shkruan Llapi.info.

Kandidatët e kësaj partie po “kërcejnë” herë në atë parti, e herë në një tjetër në zgjedhjet që po mbahen qoftë lokale dhe ato qendrore.

Pikërisht Gazmend Islami nga ky subjekt politik ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, por, jo nga partia e tij. Ai pak para zgjedhjeve u zyrtarizua si kandidat nga radhët e VV-së.

Mirëpo, Islami nuk arriti të sigurojë ulësen e Kuvendit të Kosovës, pasi që në përgjithësi i arriti 2923 vota, 1633 prej tyre i kishte në Podujevë. Ai mbështetke partinë e Albin Kurtit që doli fituese në zgjedhjet e fundit. Vetë kryesia e OBKD-së në Llap e propozoi që Gazmend Islami të jetë kandidat për kryetar të Podujevës, por ky i fundit u dorëzua duke mos konkurruar.  

Tani, kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, Balli Kombëtar, ka dal në mbështetje të LDK-së dhe kandidat të kësaj partie për kreun e Podujevës. Këtë e ka bërë të ditur ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu.

“Sot me kryetaren e Ballit Kombëtar Demokrat – dega Podujevë, Arjeta Fetahu, rikonfirmuam marrvëshjen e bashkëpunimit të cilën e kishim arritur në pjesën e parë të mandatit. Sipas marrëveshjes, BKD, me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e saj do ta mbështesë kandidatin e LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin. Ky është edhe një konfirmim i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në mes dy subjekteve tona në pjesën e parë të mandatit qeverisës në Podujevë”, ka shkruar Veliu në Facebook, duke publikuar fotografi ku shihet edhe Gazmend Islami.

Njëjtë ka vepruar edhe vëllai i Gazmendit, Avni Islami. Ky i fundit edhe pse kishte paralajmëruar padi ndaj pushtetit aktual në Podujevë, pati nënshkruar koalicion me LDK-në në janar të vitit 2019.

Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës mbahen me 15 mars 2020, pasi ish-kryetari i kësaj komune mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë Kurti./Llapi.info

Image may contain: 4 people, people standing and suit