Tri fshatra në Komunën e Podujevës janë në izolim tash e tri javë. Ndonëse 4 personat e infektuar me Covid-19 janë nga një familje në fshatin Dumnicë e Epërme, banorët e Dumnicës së Poshtme dhe të Llaushës thonë se është e pakuptimtë që ata të mbahen të izoluar, meqë në fshatrat e tyre nuk ka të infektuar me koronavirus.

Mes tjerash, përmendin se nuk kanë se si të furnizohen me gjëra elementare, derisa ka tri javë që nuk ka pasur rast të ri me koronavirus në këtë pjesë.

Në anën tjetër, edhe banorët e fshatit nga ku vijnë të infektuarit shpresojnë që shumë shpejt të kthehen në normalitet, raporton KOHA.

Kërkesë për t’i hequr këto fshatra nga karantina kanë bërë edhe përfaqësuesit e Komunës së Podujevës. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj komune, Nexhmi Rudari ka thënë se nuk është e nevojshme që të karantinohen gjithë këto fshatra.

Disa banorë të fshatit Dumnicë e Poshtme të Podujevës janë tubuar pasditen e së hënës për të protestuar për të tretën herë me radhë kundër masës së karantinimit. Megjithatë kjo protestë nuk është lejuar nga policia.

Banorët e këtij fshati janë izoluar që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19 në fshatin fqinj, Dumnicë e Epërme, ku edhe ka vdekur një 83-vjeçar nga ky virus.