Për më shumë se 30 vjet, rruga rreth 4 kilometra në fshatin Metergoc të Komunës së Podujevës ka mbetur e paasfaltuar, ani pse banorët e kësaj ane kanë kërkuar një gjë të tillë nga autoritetet komunale, njofton Llapi.info.
Premtime që do t’i kryejnë punimet e kësaj rruge në këtë fshat kanë marrë banorët herë pas herë, por ndonëse janë bërë këto premtime, punën as që e kanë nisur.
Me këtë gjendje, ata përballen çdo ditë, e vështirësi më të mëdha po kanë gjatë ditëve me mot të ligë. Përveç kësaj, blegtorët vazhdimisht janë ankuar për mungesë të kushteve dhe se janë ndjerë të anashkaluar nga Komuna e udhëhequr nga Agim Veliu.
Por, pas shumë e shumë ankesave, banorët kanë hasur në veshë të shurdhër. Bile tash i kanë humbur shpresat se komuna do të bëjë diçka.
Ata kanë filluar me mjetet e tyre që t’i meremetojnë sado pak këtë rrugë kryesore, në mënyrë që ta lehtësojnë qarkullimin në këtë pjesë të harruar.
Ndërkohë, nëpër seanca dhe debate me qytetarë, zyrtarë komunalë vazhdimisht kanë përmendur këtë rrugë, por punimet s’i kanë nisur asnjëherë. Vit pas viti është premtuar.
Se që kanë probleme fermerët e kësaj ane si pasojë e mos rregullimit të rrugës e ka thënë edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha në debatin publik me qytetarë, i thirrur nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu./Llapi.info