Për shkak të energjisë elektrike të dobët, banorët e fshatit Pakashticë e Poshtme ka dy vite që kanë bërë kërkesë në komunë për ndërtimin e një trafoje, njofton Llapi.info. Por, edhe pse kanë kaluar dy vite që kur është bërë kërkesa, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga komuna.
Faik Kajtazi, përfaqësues i fshatit Pakashticë e Poshtme, në debatin publik që është mbajtur dje në komunë ka thënë se janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për ndërtimin e trafos.
“Kemi nevojë për një trafo, pasi rryma është shumë e dobët. Kërkesat i kam paraqit që dy vite, por s’kam marrë përgjigje. Ne kemi biseduar edhe me KEK-un dhe ata na kanë thënë që kjo punë shkon me zyrtarë komunal. Prona është lëshuar për ndërtimin e trafos dhe janë bërë të gjitha pregaditjet. Sipas zyrtarëve të KEDS-it, nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga ana e komunës për ndërtimin e kësaj trafoje”, ka thënë Kajtazi, përcjell Llapi.info.
Ndërsa, Nënkrytari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se komuna nuk ndërton trafo, ajo vetëm jep leje për ndërtim.
“Kërkesën nuk e bënë Komuna e Podujevës, por juve ju duhet vet ta bëni. Komuna e jep vetëm lejen për ndërtim, por komuna nuk ndërton trafo. Nëse kërkohet leja prej nesh për ndërtimin e trafos, lejen do ta keni”, ka thënë Rudari./Llapi.info