Fshati Dukaivë i Rugovës është pa energji elektrike që nga vjeshta e kaluar, për shkak të rrjetit të dëmtuar dhe shtyllave të rrëzuara të të dy tensioneve të rrymës.
Kjo gjendje është e njëjtë prej disa vjetësh, por kërkesave të vazhdueshme të banorëve ende nuk u është përgjigjur KEDS-i në terren për evitimin e dëmeve dhe rregullimin e rrjetit, shkruan sot Koha Ditore.
Banorët tregojnë se tre vjetët e fundit kërkesat dhe ankesat kanë qenë gjithnjë edhe më të zëshme dhe më të shpeshta, pasi çdo vit e më shumë po shtohet numri i banorëve që po dalin në fshatra të veta.
Kërkesat e banorëve të Dukaivës në adresë të KEDS-it kanë nisur në vitin 2015, kur u është dërguar kërkesa zyrtare, më të cilën banorët kanë kërkuar nga KEDS-i ndërrimin e linjës për furnizim me energji elektrike në fshatin Dukaivë, pasi 30 vjetët e fundit, siç thotë ata nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje serioze në këtë rrjet, përveç në raste emergjente.