Të gjitha ndërtimet pa leje në afërsi të Liqenit të Batllavës, pritet të rrënohen.

Vendimi është marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfshin 48 vendime të lëshuara për subjektet, të cilat kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në këtë zonë, raporton KTV.

Pronarët e objekteve janë urdhëruar që në afat prej 7 ditësh të bëjnë largimin e tyre.

Banorët e kësaj zone janë të pakënaqur me këtë vendim dhe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim. Ata kanë thënë se janë të gatshëm të paguajnë edhe taksë për mosrrënimin e pronave të tyre.

Pronarët, që kanë deri në 15 vjet banimi në këtë zonë, kanë thënë se shumica e tyre qëndrojnë aty shkaku i problemeve shëndetësore që kanë. Sipas tyre, natyra dhe ambienti në afërsi të liqenit, u ka ndihmuar shumë.

Vendimi për rrënimin e objekteve pranë Liqenit të Batllavës vlen edhe për restorantet e ndërtuara në këtë zonë.

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Podujevës nuk ka kthyer përgjigje për KTV-në, sepse ka thënë se nuk është kompetente për të folur për këtë rast.

Ndërsa, banorët mbesin me shpresën se do t’u ofrohet mundësi bashkëpunimi për mosrrënimin e pronave të tyre.