Për shumë kohë lumi Llap në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës mbeti i pushtuar në grumbujt e bërllokut, shkruan Llapi.info.

Shishe plastike, xhami dhe çdo lloj mbeturine kishin krijuar një deponi në shtratin e lumit. 

Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, në këtë gjendje besohet se është për shumë muaj, teksa deri më tani nuk janë ndërmarrë masa në pastrimin e lumit.

Por, banorët më s’e kanë pritur që Komuna e Podujevës të intervenojnë në pastrimin e tij. Ata e kanë pastruar vet atë. Banorët e lagjes tashmë e kanë pastruar lumin Llap së bashku me një kompani private.

Kështu kanë thënë ata duke i dërguar edhe pamjet në Llapi.info, teksa shihet edhe intervenimi në pastrimin e lumit nga grumbulli i bërllokut.

Por, s’është vetëm ky vend ku bëhet kjo deponi bërlloku, pasi që lumi Llap prej kohësh është shndërruar në një “kosh plehrash” nga faktori njeri.

Duhet përkujtuar se qindra mijëra euro ndahen për rregullimin dhe mirëmbajtjen e shtratit të lumit Llap nga Komuna e Podujevës.

Llapi.info pati raportuar disa herë për gjendjen në të cilën ishte katandisur lumi Llap në këtë pjesë./Llapi.info