Pas shtimit të rasteve të reja me virusin korona, më 13 korrik të këtij viti, Qeveria vendosi që mbajtja e maskave të jetë obligative në vendet publike, raporton Llapi.info.

Që nga kjo ditë, Policia ka vazhduar me kontrolle të shtuara nëpër sheshe, rrugë dhe vende tjera publike në Kosovë.

Rritje të vazhdueshme të të infektuarve këto ditë pati edhe në Podujevë. Për vetëm dy ditë rreth 40 persona kanë rezultuar pozitivë. Për këtë, Policia ka nisur kontrolle në shumë pjesë të kësaj komune.

Patrulla pati sot edhe në qendër të Podujevës. Në rrugën “Zahir Pajaziti” Policia ndalonte persona që s’i bartnin maskat.

Që nga sonte, do të nisë ora policore edhe në Komunën e Podujevës. Sipas vendimit të Qeverisë, nga ora 22:30 deri në ora 05:00 ndalohet qarkullimi.

Ndërkohë që nga e hëna, qytetarët të cilët nuk mbajnë maska dhe nuk i respektojnë vendimet për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të gjobiten drejtpërsëdrejti nga Inspektorati Sanitar si në formën e tiketave të trafikut.

Sot edhe 239 raste të reja me virusin korona janë konfirmuar në Kosovë, pas testimit të 401 mostrave nga IKSHPK-ja. Nga këto raste, 14 janë nga Podujeva, derisa dje u konfirmuan 23 raste./Llapi.info