Është mbyllur protesta e ditës së sotme të opozitës, ku qindra qytetarë kanë bllokuar disa akse kryesore të rrugëve në Shqipëri.
Duke folur nga Vora, kreu i PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje kryeministri Edi Rama që të lirojë 11 kuksianët që mbetën në burg ditën e djeshme pras protestës së dhunshme të shtunën kundër taksës së rrugës së Kombit.

Po ashtu, Basha është shprehur se në vend të arrestojë kriminelët dhe banditët, Rama fut në burg hallexhinjtë.

“Edi Rama liroi Saimir Tahirin dhe nuk arreston kriminelët dhe liron banditët nga burgu. Ai arreston njerëzit e pafajshëm që proteston për bukën e gojës. Policinë e shtetit e ke kthyer në polici private dhe ke politizuar gjykatat.

Ky është fundi i diktaturës sepse popullin nuk e shantazhin dot. Shqiptarët janë ngritur dhe do largojnë këtë shtet kriminal. Opozita dhe aleatët janë në krahun e kuksianeve të grabitur padrejtësisht.

Kërkojmë lirimin e 11 personave që mbahen në burg padrejtësisht dhe heqjen e taksës së Kombit. Jemi këtu për ti thënë ndal regjimit kriminal që fut në burg popullin dhe liron kriminelët. Liro 11 kuksianët dhe hiq taksën në Rrugën e Kombit”- tha Basha.