Në pritje të festës së Bajramit, bashkatdhetari Muhamet Bytyçi nga Shkoza e komunës së Malishevës, përsëri është treguar solidar me familjet në nevojë, njofton kumtesa komunale .

Bytyçi, sot është pritur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili e ka falënderuar për këtë gjest human, në këtë festë fetare, ku të gjithë që kanë mundësi, duhet të tregohen human në raport me ata që kanë nevojë.

Mërgimtari Muhamet Bytyçi, sot ka sjellë edhe një mijë euro, të cilat do t’iu shpërndahen familjeve në nevojë, në prag të festës së Bajramit, dhe si zakonisht, mërgimtari Bytyçi, zgjedhë komunën si institucion, që organet kompetente të bëjnë shpërndarjen e këtyre të hollave, për familjet që janë raste të rënda sociale.

Sikur herëve tjera, bashkatdhetari Bytyçi, i cili jeton dhe punon në Gjermani, dy muaj më parë ka ndihmuar 20 familje, ndërsa edhe kësaj radhe, do t’i ndihmojë disa nga familjet që kanë nevojë, dhe në këtë festë fetare të ndihen të barabartë me të tjerët dhe të kenë gjërat e nevojshme për të festuar.