Qëkur e mori detyrën, nuk e përmendi më si temë.

Mbase atë që kishte për ta thënë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri Albin Kurti e shprehu pak orë para se të betohej në Kuvend, më 22 mars të këtij viti.

“Tema e Asociacionit te Komunave me shumicë serbe është temë që rikthehet çdo javë. Nuk mund të kemi Asociacion një etnik” tha Kurti mes tjerash në ditën kur Kuvendi e votoi për shef qeverie.

Nga Kryeministria thonë se shefi i qeverisë këtu thirret në nenin 44 të Kushtetutës, që rregullon lirinë e asociimit.

Por, se a kanë plan konkret për krijimin e Bashkësisë së Komunave nuk treguan, ani se këtij

organizimi i dedikoheshin 6 nga 15 pikat e marrëveshjes së firmosur 8 vjet më parë në Bruksel.Andaj, Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut, po i kërkon Kurtit respektim të kësaj ujdie që ishte e para e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Kjo ujdi u bë bazuar në mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira, prej së cilës Kosova asnjëherë nuk u tërhoq. Në fakt marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave prej 2/3. Duke vepruar kështu Kosova mori obligim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje” thuhet nga Shërbimi i jashtëm I BE-së.

Kurti e konsideron si fund të ujdisë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, i cili asociacionin e shpalli anti-kushtetues në 23 nene.

Po në përgjigjen për Klan Kosova, nga BE-ja e thonë të kundërtën.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 2015 lidhur me Asociacionin rregullisht keqinterpretohet. Gjykata kurrë nuk ka thënë se Asociacioni nuk mund të themelohet. Prandaj ne presim që Kosova të respektojë angazhimet që i ka marr në Dialog”

Qendrimi final i Qeverisë për këtë çështje mund të dihet brenda pak ditësh.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha sot se ekzekutivi së shpejti prezanton qëndrimet në raport me dialogun.