Tahir Batatina ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Favorit”, ndërsa u ankua në referim, i cili sipas tij po e dëmton me të madhe.
Trajneri i Llapit madje insiston se referët me veprimet dhe me vendimet e tyre kontroverse ia pamundësuan që të ishte në krye të tabelës, shkruan “Gazeta Express”.
Sipas trajnerit të klubit llapjan, ekipit nga “Zahir Pajaziti” iu mohuan mbi 10 pikë, ndërsa insiston se Llapi nuk ka pasur kurrë favore dhe se gjithmonë sukseset i ka arritur me mund dhe në fushën e blertë.
“Nuk është e hijshme kjo çka po ndodh. Llapi s’ka pasë favore kurrë. Na është marrë edhe Kupa, titullin më herët dhe prapë po pretendohet t’i merret titulli. Ne nuk mund të luftojmë kundër gjyqtarëve dhe kundërshtarëve. 12 pikë i kemi humbur shkaku i gjyqtarëve. Nuk e di nëse Visar Kastrati e ka personale me Llapin apo po ndikon dikush”, deklaroi fillimisht Batatina në “Favorit”.
“Kur shoh padrejtësi dhe ti mundohesh ta mbulosh… me skenar ishte sot. Nuk dhashë as deklaratë pas ndeshjes. Skenaristi ishte Visar Kastrati (gjyqtari kryesor). Që dy ndeshje kështu. Ndaj Dritës nuk fola, por nuk mundem gjithmonë të mos flasë kur vazhdojnë gabimet. Nëse dikush ka frikë prej një presidenti të klubit dhe ka ndikim, ne duhet ta lëm futbollin krejt. Unë nuk i bëj presion askujt në Llap”, përfundoi Batatina.