Llapi ka arritur të shënojë fitoren e dytë rresht në kampionat, duke mposhtur në shtëpi Dukagjinin me rezultat 2 – 1, njofton Llapi.info.
Golat për Llapin i realizuan Armin Mujkic dhe Mërgim Pefqeli, ndërsa për dukagjinasit realizoi Husein Demir.
Pas triumfit, trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i lumtur megjithëse thekson se përballë skuadrave të tilla nuk është aspak e vështirë të fitohet.
“Kemi pritur Barcelonën e Dukagjinit, ndaj edhe jemi përgatitur maksimalisht. E kemi dominuar ekipin e Dukagjinit gjatë 90 minutave dhe kemi dëshmuar që këto skuadra si Dukagjini i mposhtim edhe me dhjetë futbollistë në fushën e lojës“, theksoi fillimisht Batatina për “Super Sport Kosova”.
Batatina e vazhdoi ironizimin e tij, teksa theksoi se skuadrën e Dukagjinit do ta kishte mposhtur edhe me dhjetë futbollistë që nga minuta e parë.
“Deshëm që t’i respektojmë tifozët e Llapit, pasi që Dukagjinin do ta kishim mposhtur edhe me dhjetë lojtarë që nga fillimi i ndeshjes. Dua vetëm që t’u bëj me dije që në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ vështirë që do të mund të marrë pikë ndonjë skuadër. Ato dy barazime ishin vetëm aksidentale”, deklaroi Batatina.
“Dukagjinit ia mundësuam ta shënojnë një gol dhe te lë gëzohen me kaq deri në Klinë. Llapi është kategori tjetër për Dukagjinin”, përfundoi Batatina.
Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën 14 pikëve dhe radhitet aktualisht në vendin e dytë, ndërsa në anën tjetër Dukagjini me këtë disfatë thellohet akoma më shumë, pasi që pas shtatë xhirosh ka vetëm një pikë të grumbulluar.
Në ndeshjen e radhës, Llapi dhe Feronikeli zhvillojnë derbin në Drenas, kurse Dukagjini pret Trepçën ’89./Llapi.info