Llapi ka gjetur fitoren pas dy humbjeve, teksa ka mposhtur minimalisht Drenicën 1-0, njofton Llapi.info.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Mentor Zhdrella, kur po zhvillohej minuta e 10-të në “Zahir Pajaziti”.
Me fitoren e sotme është ndarë i kënaqur trajneri Tahir Batatina, derisa të njëjtën ia ka dedikuar heroit Zahir Pajazitit.
“Së pari dua që këtë fitore të ja dedikojë komandantit legjendar Zahir Pajaziti sepse sot është ditëlindja e tij. Ishte një ndeshje e vështirë dhe kemi qenë të vetëdijshëm për këtë, pasi që Drenica ka një skuadër kompakte. Përveç fitores që kemi arritur sot, gjithashtu kemi inkuadruar edhe katër futbollistë të rinj. Kjo fitore na mban në hap me skuadrat e kreut të tabelës, kampionati është i gjatë dhe ne do ti marrim ndeshjet një nga një. Shpresoj që në ndeshjen e radhës ndaj Prishtinës stadiumi “Zahir Pajaziti” të jetë i stërmbushur”, theksoi Batatina për “Super Sport Kosova”.
Por, përpara ndeshjes me Prishtinën, Llapi ka edhe një duel tjetër të vështirë në Suharekë, ku do të përballet me ekipin e drejtuar nga Ismet Munishi.
“Ballafaqohen dy skuadrat që po zhvillojnë futboll shumë të bukur. Ballkani ka në skuadër shumë të mirë dhe ka shfaqur ndeshje të mira këtë edicion. Do të shkojmë të qetë në atë ndeshje. Do ta presim ndeshjen me qetësi dhe do të bëhemi skuadra e parë që kthehemi me pikë të plota nga Suhareka”, ka shtuar ai.
Pas kësaj fitoreje, Llapi arrin në kuotën 23 pikëve, aq sa ka edhe Prishtina në vendin e katërt, kurse Drenica radhitet në pozitën e shtatë me 17 pikë të tubuara./Llapi.info