Ekipi nga Podujeva, KF Llapi, ka pësuar sot humbje në udhëtim te Ferizaj me rezultat 2-1, në javën e gjashtë të Superligës, raporton Llapi.info.
Nikoqirët ferizajas i shënuan dy golat në pjesën e parë me anë të Astrit Fazliu dhe Ramush Ramadanit, kurse golin e vetëm për llapjanët e realizoi Ilir Krasniqi në minutën e 74’.
Pas kësaj humbje, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka kritikuar gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Genc Nuza.
“Nëse Genc Nuza nuk ka referuar në finale, nuk duhet të jetë kundër Llapit. Nuk është Nuza i vetmi në futboll të Kosovës. Nëse goli o Llapit është ofsajd, unë e lë futbollin. Po donë me na marrë në qaf, duhet të ndryshohet. Arbitrimi i tillë vetëm e dëmton futbollin. Kjo është arsyeja e vetme e humbjes. Goli i dytë i Ferizajt ishte i dyshimtë për ofsajd””, ka thënë Batatina.
Sipas tij, skuadra nga “Zahir Pajaziti” po dëmtohet “nga brenda”, teksa ka shtuar se klubi llapjan, sipas tij, do t’u mbijetojë “këtyre sulmeve”.
“Po ndodhë çdo ndeshje. Duhet të luajmë me 14 kundërshtarë. Çdo ndeshje ndërhyrja më e lehtë në zonë akordohet penallti kundër Llapit. Ndoshta dikujt po i pengojnë sukseset e Llapit. Dikujt brenda. Por Llapi nuk do të rri duarkryq”, ka thënë Batatina.
Llapi e gjen vetën në tabelë në pozitën e parafundit me vetëm pesë pikë të tubuara. Në gjashtë javët e para, Llapi ka një fitore, dy barazime dhe tri humbje rresht./Llapi.info