Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij ndaj Malishevës me rezultat bindës 3-0, raporton Llapi.info.
Ai ka spikatur emrat e Valmir Veliut dhe Kastriot Selmanit si dy futbollistët më të mirë, sipas tij, në futbollin kosovar, ndërkohë që ka shtuar se e ka të vështirë ta bëj 11-shën, pasi që siç ka thënë ai, ka shumë lojtarë kualitativë.
“Të gjithë lojtarët ishin të gatshëm dhe nga ana jonë ka qenë e rëndësishme të marrim tri pikë, të jemi të kujdesshëm dhe tani të vazhdojmë për ndeshjet e radhës. Llapi ka një skuadër me djem cilësorë, kualitativë. Kam shumë lojtarë kualitativë. E kam shumë vështirë të bëj 11-shen, por mundohem të bëj ndryshime brenda ndeshjes, varësisht prej kundërshtarit. Rezultatet e Llapit janë falë punës së djemve. Jam shumë i kënaqur”, ka thënë Batatina.
Me këtë fitore, ekipi nga Podujeva radhitet në vendin e katërt në tabelë me 39 pikë të grumbulluara, derisa Malisheva ka 23 sosh në pozitën e shtatë.
Vlen të theksohet se ekipi që drejtohet nga Tahir Batatina është tash e 13 ndeshje pa disfatë./Llapi.info