Llapi ka arritur të shënojë fitore në “Zahir Pajaziti”, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 2-1, njofton Llapi.info
Golat për klubin nga Podujeva i realizuan Mentor Zhdrella dhe Valmir Veliu.
Me këtë fitore është ndarë i kënaqur edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
“Një fitore e mundimshme, por e merituar. E kemi ditur që kemi të bëjmë me një kundërshtar mjaft të vështirë, siç është Gjilani, e cila ka ndërruar me ardhjen e trajnerit të ri. Gjilani nuk e meriton pozitën të cilën e ka në renditjen tabelare dhe sot e dëshmoi këtë, pasi që na ka vënë shumë në vështirësi”, ka thënë ai.
“Ndeshjen e nisëm mirë me një gol të Zhdrellës, por më pas pësuam dhe ky gol na vështirësoi punët. Por, futbollistët treguan me të vërtetë karakterin e tyre luftarak dhe me meritë e fituan ndeshjen. Kam rrezikuar duke inkuadruar në lojë më shumë sulmues dhe në fund ia dolëm me sukses”, ka thënë Batatina për Super Sport, transmeton Llapi.info
Më tej ai foli gjithashtu edhe për luftën e titullit kampion, pasi që tani Llapi ndodhet vetëm dy pikë larg kreut të tabelës.
“Ky kampionat është shumë interesant, pasi që skuadrat nuk kanë shumë dallime të mëdha në lojën e tyre. Duhet të pranojmë që edhe ne me vështirësi triumfuam ndaj KEK-ut. Por, e rëndësishme është që Llapi të luajë ofansiv dhe të kënaq publikun e pranishëm. Që nga ardhja ime gjërat kanë ndryshuar, pasi që ekipi është më ofansiv, rrezikon më shumë dhe sulmon më shumë. Kjo në të kaluarën nuk kishte ndodhur. Rikthimi im në stolin e Llapit ka stabilizuar gjërat”, deklaroi Batatina.
Pas kësaj fitoreje, Llapi tani ndodhet vetëm dy pikë prapa kryesuesve Feronikelit dhe Prishtinës.
Ndërkohë, Feronikeli është befasuar në shtëpi duke u mposhtur nga Ferizaj./Llapi.info