Nga pesë përforcimet e deritashme të Llapit, katër janë ish-lojtarë të Prishtinës. Dy të fundit, Granit Begolli e Agon Xhaka ishin pjesë e bardhekaltërve deri para disa ditësh.

Ndërkohë, krahas tyre, Llapi u përforcua edhe me Adnan Haxhajn, që pavarësisht largimit nga Vllaznia ishte nën kontratë me Prishtinën, si dhe Viktor Kukën, që prej shumë vitesh luante me kryeqytetasit.

Së fundi ai ishte ndarë me Teutën e Durrësit. Ardhja tjetër është Rilind Neziri.

“Në Prishtinë gjithmonë kanë luajtur lojtarë me përvojë. Mua më është dashur që pozitat që i kam t’i mbulojë me lojtarë me përvojë, por edhe të shtojë konkurrencën”, ka thënë Batatina për GazetaOlle.com, përcjell Llapi.info.

Ai thekson se me ardhjen e sotme, Agon Xhaka, kanë mbyllur ‘kuletën’ për këtë dimër. “Vetëm nëse më afrohet ndonjë lojtar shumë shumë i mirë, se përndryshe nuk marrim të tjerë”, përfundoi trajneri i Llapit.

Skuadra e tij e nis pranverën nga vendi i dytë në Superligë.