Kryendeshja e javës së 14-të në elitën e futbollit kosovar Ballkani – Llapi ka përfunduar me barazim 1-1, njofton Llapi.info.
Nga një gol u shënua në dy pjesët e lojës, teksa për Llapin realizoi Sebino Plaku (33’), ndërsa për Ballkanin Arbër Potoku (71’).
Pas ndeshjes, trajneri i klubit nga Podujeva, Tahir Batatina ka thënë se ekipi i tij ka luajtur mirë në këtë duel.
Batatina është shprehur se Llapi është ekipi i vetëm që ka arritur të marrë pikë në Therandë kundër skuadrës që kryeson në tabelë.
“Kemi ardhur për fitore ashtu siç shkojmë në çdo ndeshje. Ne jemi ende ne komponim të skuadrës. Sot kemi qenë ndryshe nga lojë tjera. Ne pjesën e parë kemi luajtur mirë. Edhe në pjesën e dytë kemi luajtur mirë, ku kemi pasur raste dhe kemi mundur ta ndëshkojmë kundërshtarin. Gjithsesi, sot u pa që Llapi ka potencial dhe them se pjesa e dytë i ka kënaq edhe shikuesit. Është mirë ta ndalësh liderin pas jemi skuadra e parë që marrim pikë këtu pasi sa e di askush nuk ka mundur të marrë pikë në Therandë këtë kampionat”, ka thënë Tahir Batatina për Supersport Kosova.
Pas këtij barazimi, Llapi numëron 24 pikë në vendin e pestë, ndërsa Ballkani kryeson në tabelë me 30 sosh.
Në ndeshjen e radhës, Llapi do ta zhvillojë derbin tjetër në Zahir Pajaziti me Prishtinën, ndërsa Ballkani udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën ’89./Llapi.info