Kryetrajneri i klubit të Llapit, Tahir Batatina vazhdon të jetë optimist për titullin kampion. Batatina në emisionin “Arena Sportive”, ka shtuar se Prishtina, Feronikeli dhe Llapi janë pretendentë për titull, transmeton Llapi.info

“Kampionati është bërë edhe më i vështirë. Skuadra që ka lojtarë të mjaftueshëm do të triumfojë në fund. Feronikeli mund të ketë probleme për shkak se luan edhe në Kupën e Kosovës”, ka thënë Batatina.

“Kam kontingjent të jashtëzakonshëm të lojtarëve dhe mendoj se Llapi e meriton titullin tani”, ka vazhduar Batatina.

Batatina ka thënë se klubi nga Podujeva ka filluar edhe me projekte të reja. Sipas tij, në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, pas ndërtimit të tribunave do të vendosen edhe ulëset.

“Të gjithë e dini si ka qenë infrastruktura te Llapi para ardhjes sonë dhe si është tani. Planifikohen punime dhe kemi një projekt për stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ si dhe do të vendosen ulëse”, shtoi Batatina.

“Ndërkaq, kemi në projekt edhe qendrën sportive në Dumosh, e cila do të përdorej vetëm për stërvitje”, ka thënë ndër të tjerash Tahir Batatina./Llapi.info