Skuadra e Llapit të mërkurën në mesditë siguroi kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Llapjanët në çerekfinale e eliminuan ekipin e Gjilanit, pasi e mposhten me rezultat 2-0.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, golat për vendasit i realizuan Drilon Fazliu (85’) dhe Alef Firmino (90+1’).

Për këtë triumf ndaj gjilanasve çdo futbollistë i skuadrës së Llapit do të përfitoj nga 200 euro premia.

Lajmin për Gazetën inFokus e ka konfirmuar trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina.

“Po kemi pasur premia për kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Çdo futbollistë i Llapit nesër do ti merr nga 200 euro shpërblim për fitoren ndaj Gjilanit. Llapi është klubi më korrekt në Superligë. Lojtarët pagat i marrin gjithmonë me datën 3. Duhet cekur se për çdo ndeshje futbollistët e Llapit kanë pasur edhe do të kenë premia”, deklaroi Batatina.

Përveç Llapit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës janë kualifikuar edhe Prishtina, Drita dhe 2 Korriku.

Edicionin e kaluar përpos Kupës, llapjanët e fituan edhe Superkupën e Kosovës dhe Kupën e Diasporës.