Llapi ka barazuar sot pa gola me ekipin e fundit në tabelë, Dukagjinin në javën e 18-të në Superligën e Kosovës, njofton Llapi.info.
Përkundër që të dyja ekipet patën raste të mira shënimi, s’u shënua asnjë gol. Rastet më të mira në ndeshje i pati Valmir Veliu i Llapit.
Pas këtij barazimi befasues, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka fajësuar fushën e ekipit nikoqir, pasi që sipas tij, i ka vështirësuar punët djelmoshave të tij.
“Kishim përgatitur ndeshjen që ta mbyllnim brenda 45 minutave. Krijuam shumë raste shënimi në pjesën e parë dhe në bazë të asaj që u pa në fushë rezultati duhej të ishte 4-0 në favorin tonë. Megjithatë edhe fusha na i vështirësoi punët, pasi që në këtë terren është e pamundshme të luash futboll. Sidoqoftë ne do të përgatitemi për ndeshjet e radhës, pasi që ka ende shumë ndeshje për tu luajtur”, ka thënë Batatina për “Super Sport Kosova”.
Batatina tutje ka shtuar se tashmë Llapi e ka synim pozitën e dytë në tabelë dhe këtë do ta kërkojnë me ngulm.
“Ne është dashur ta fitojmë këtë ndeshje, pasi që vetëm fitorja na mbante në garë me skuadrat tjera që pretendojnë kreun. Megjithatë, pozita e dytë është objektivi ynë kryesor dhe ne do të përgatitemi për të luftuar për çdo ndeshje për këtë objektiv”, ka deklaruar ai.
Llapi me barazim e sotëm arrin në kuotën e 25 pikëve dhe radhitet në pozitën e gjashtë, kurse Dukagjini ka vetëm 9 pikë në pozitën e fundit në tabelë.
Në xhiron e radhës, Llapi zhvillon derbin në Podujevë me Feronikelin, e Dukagjini udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën 89’./Llapi.info