Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është ndarë i kënaqur me triumfin e ekipit të tij ndaj Gjilanit, ndeshje kjo e vlefshme për rrethin tjetër të Kupës së Kosovës, raporton Llapi.info.
Batatina, i cili aktualisht është kampion në fuqi me Llapin, ka thënë pas ndeshjes se skuadra e tij ka dominuar ndaj asaj të Gijlanit.
E sa i përket ndërrimeve që i bën gjatë ndeshjes, Batatina ka thënë se mund ta mposhtë çdo trajner, përfshirë edhe Jose Mourinhon.
“Kemi dominuar Gjilanit në çdo aspekt, sidomos në pjesën e dytë me ndërrimet që i bëra. Kur i bëjë ndërrimet edhe Mourinhon ta shkatërroj si kundërshtar. Me Fazliun dhe Firminon e kam ditur se do ta dominoj dhe do ta fitoj ndeshjen”, ka thënë Batatina.
Më tej, tekniku llapjan është shprehur i bindur se trofeu i çmueshëm i Kupës së Kosovës, sipas tij, do të vijë sërish në “Zahir Pajaziti”.
“Llapi është më i përgatitur se të gjitha ekipet, ka potencial dhe mendoj se kupa sërish do të vijë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’. Është një ndjenjë e veçantë që kaluam në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe në stadiumin tonë do të ketë gjithmonë spektakël dhe ndeshje të mira”, ka thënë Batatina.
Llapi ka mposhtur sot në shtëpi Gjilanin me rezultat të pastër 2-0, për të kaluar kështu në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës./Llapi.info