Llapi ka arritur të shënojë fitore 1-0 kundër Prishtinës në stadiumin e kryeqytetit “Fadil Vokrri”, raporton Llapi.info.
Golin e vetëm në këtë takim e realizoi sulmuesi Sebino Plaku, kur po zhvillohej minuta e 32’ e ndeshjes.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina u shpreh i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij pas fitores me FC Prishtinën në kryeqytet, teksa vlerësoi lartë edhe skuadrën e Bylbyl Sokolit.
“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë. Prishtina është një skuadër shumë e fortë dhe ka individë shumë cilësorë. Por, kam pasur besim te skuadra se mund të ja dalim. Jemi një skuadër në komponim e sipër dhe po mundohemi dalëngadalë të vijmë në lojën tonë. E mira e futbollit është që Prishtina dhe Llapi kanë krijuar një rivalitet dhe po bëhet një derbi i vërtetë. Të dy skuadrat sot kishin rastet e veta, por neve na mjaftoi një gol për ta fituar ndeshjen”, deklaroi Batatina pas ndeshjes për “Super Sport Kosova”.
Më tej i pari i klubit llapjan tregoi edhe për “çelësin” e këtij suksesi.
“Kemi luajtur kujdesshëm pasi që Prishtina ka lojtarë kualitativ në repartin ofensive. Kemi punuar gjatë gjithë javës në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit dhe sot e kishim më të lehtë të luanim, pasi që ndryshimi nga tereni me bari sintetik në atë natyral po na shkakton jo pak probleme. Fitoren ua dedikoj drejtuese të klubit”, ka shtuar tekniku llapjan.
Pas kësaj fitore, Llapi arrin në kuotën e 7 pikëve dhe radhitet në vendin e dytë, ndërsa Prishtina ka vetëm një pikë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në duelin tjetër, Llapi e pret në “Zahir Pajaziti” Dritën e Gjilanit, kurse Prishtina udhëton në Mitrovicë për t’u ndeshur me Trepçën ’89./Llapi.info