Llapi ka pësuar humbjen e parë në sezonin e pranverës, duke u mposhtur nga lideri i Superligës, Ballkani, me rezultat minimal 1-0, raporton Llapi.info.

Golin e vetëm dhe të fitores për nikoqirët e shënoi Ermal Krasniqi, kur po zhvillohej minuta e 73’ e këtij takimi. Pas disfatës së pësuar, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se ekipi i tij s’e ka merituar humbjen, ndërkohë që ka shtuar se kundërshtari, sipas tij, nuk bëri lojë të mirë.

“Ka qenë një ndeshje derbi e kemi ditur se do të jetë vështirë. Ballkani nuk krijoi asgjë, shënoi me gol të dhuruar. Vështirë të bëhet kampion pa asnjë goditje në portë. Ne ia mundësuam të na fitoj. Pjesën e parë kemi dominuar, ky është futbolli. Në pyetje janë edhe 40 pikë dhe është ende larg për t’u menduar. Ka ende ndeshje për t’u luajtur dhe skuadra që luftojnë për kreun e tabelës. Nuk merituam humbjen sot. Ballkani vetëm futboll nuk bëri. Loja është luajtur me dy topa. Pakujdesia në mbrojtje, bëri që Ballkani të fitoj. Ne duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës, ta bëjmë më të mirën si skuadër. Kemi sulmin më të mirë në Superligë”, është shprehur ai për gazetarë.

Pas kësaj humbjeje, Llapi ka 39 pikë dhe vazhdon të jetë në vendin e katërt, ndërkohë që Ballkani kryeson në tabelë 48 pikë të tubuara.

Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Drenicën, kurse Ballkani do të jetë mysafir i Malishevës./Llapi.info