Llapi ka shënuar fitore të thellë sot në udhëtim te Liria në Prizren, duke mposhtur me rezultat 4-0, me trajnerin e rikthyer Tahir Batatinën, njofton Llapi.info
Dy gola në “Përparim Thaçi” i realizoi top sulmuesi Ahmed Januzi, ndërsa nga një Remzifaik Selmani dhe Hamdi Namani.
Pas kësaj fitore, Batatina ka theksuar se Llapi ka treguar cilësi në këtë ndeshje.
“Liria ka lojtarë të mirë, por realizuan gol në momentet vendimtare dhe në pjesën e dytë kemi luajtur kujdesshëm dhe kemi pritur gabimet. Në një ndeshje të tillë me peshë është shumë me rëndësi t’i marrësh tri pikë, aq më shumë në rikthim. Sot u vërejt se kemi një skuadër tejet cilësore”, ka thënë ai për Super Sport duke ia dedikuar fitoren kryesisë së klubit.
I impresionuar me fitoren e sotme, Tahir Batatina ka ‘goditur’ trajnerët e kaluar të Llapit, duke thënë se po të ishte në krye të ekipit, çështja e titullit tani nuk do të diskutohej.
“Me këta djem që i ka skuadra e Llapit më dhimbset koha që e kam humbur, pasi në këto momente nuk ish diskutuar titulli i kampionit. Gabimi më i madh është që nuk kam vazhduar si trajner pas organizimit të mirë që kishte klubi. Po të kisha qenë prej fillimi, sot Llapi do ta festonte titullin kampion”, ka thënë ai pas ndeshjes.
Me fitoren e sotme Llapi vazhdon garën për titull dhe tani gjendet në pozitën e dytë me 51 pikë./Llapi.info