Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka vlerësuar të mërkurën si ditën më të keqe për skuadrën nga Podujeva.

Llapi të mërkurën u mposht nga Dukagjini 1:0, në ndeshjen e mbetur të xhiros së 12-të. Llapi kishte dy penallti, por asnjërën nga to nuk e konkretizoi.

“Në pjesën e parë kishim pesë apo gjashtë raste të qindpërqindta dhe nuk i realizuam. Për shkak të kësaj u vumë në vështirësi. Penalltitë janë 50/50, por ato u desh të shënoheshin. Djemtë dhanë gjithçka nga vetja. Ndoshta ishte dita më e keqe për Llapin. Kishim transversale të qëlluar, nuk arritëm të shënonim. Rastet dhe penalltitë e humbura ndikuan që ta humbim ndeshjen”, tha pas ndeshjes trajneri Batatina.

Ai e pranoi se skuadrës së tij i mungon një qendërsulmues efikas para golit.

“Nëse e shohim Llapin që krijon kaq shumë raste dhe nuk shënon, është pjesa e sulmit ajo që po na mungon. Aty po na mungon pjesa e finalizimit. Duhet të jemi më konkret dhe të shënojmë e të mos vijmë në një situatë si kjo. Kur nuk shënon, gjithmonë pëson. Por ne duhet të bëjmë maksimumin dhe të presim që të marrim edhe përforcime ku ne mendojmë se kemi nevojë”, vazhdoi tutje ai, duke shtuar se në Superligë, gjitha skuadrat janë të barabarta për nga cilësia.

“Çdo skuadër është në nivel të njëjtë. Secila skuadër mund ta mposhtë secilën. Niveli i Superligës është i balancuar. Nuk dallojmë shumë. Niveli është i përafërt sepse lojtarët e Kosovës sillen këtu. Ne do ta bëjmë maksimumin në mënyrë që të marrim rezultatet pozitive në vazhdim”, është shprehur Batatina.