Feronikeli ka shënuar sot fitoren e tretë kundër Llapit në këtë edicion, pasi që në Zahir Pajaziti e ka mposhtur klubin nga Podujeva me rezultat 1-3, njofton Llapi.info
Golin e vetëm për Llapin në këtë takim e realizoi Festim Alidema, ndërsa nga një gol për mysafirët shënuan Arbër Prekazi, Mendurim Hoti dhe Kastriot Rexha.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se fajtor i kësaj humbje është morali i dobët i lojtarëve pas humbjes me Prishtinën.
“Shumë e vështirë të motivohet skuadra pas humbjes ndaj Prishtinës. E kemi ditë që do të jetë një ndeshje e vështirë edhe pse në pjesën e parë luajtëm mirë. Skuadra mysafire kishte motiv të lartë. Ky është futbolli, Llapi ka qenë një ndër skuadrat më të mira të Superligës“, ka thënë Batatina për Supersport.
Trajneri i Llapit ka thënë gjithashtu se skuadra e tij është kampion moral dhe premton se sezonin tjetër “Zahir Pajaziti” do të duket si “Camp Nou”, stadium ky i Barcelonës.
“Tifozët llapjanë e dijnë shumë mirë karakterin tim, sezonin e ardhshëm do të shihni një stadium komplet të ri, pasi do të përfundojnë punimet, do të jetë si “Camp Nou”. Llapi do do të luftojë për titull të kampionit dhe për daljen në Evropë, asnjë futbollistë nuk do të largohet pasi kam biseduar me ta dhe e kam parë se duhet t’i bëjmë dy apo tri përforcime”, ka përfunduar Batatina.
Llapi edhe pse ka një ndeshje për të zhvilluar ka përfunduar sezonin në vendin e tretë në tabelë, ku pas 32 xhirosh numëron 69 pikë.
Ndryshe, në këtë ndeshje tifozët llapjanë kanë lëshuar ndeshjen para kohe, duke akuzuar Batatinën për “lëshim” të lojës./Llapi.info