Zyra e BE-së ka bërë të ditur sot se e ka anuluar një projekt 12 milionësh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

“Vendimi për një projekt të tillë të rëndësishëm mbështetet në bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale dhe bëhet në konsultim me popullatën lokale. Për fat të keq, autoritetet lokale të Kosovës në fund dështuan në mbështetje të projektit”, thuhet në komunikatë.

Projekti “Hartimi i planit për deponinë për mbeturinat e rrezikshme” është përfshirë në Planin e Veprimit në Mjedis të Kosovës 2011-2020, në Strategjinë për Menaxhimin e Mbeturinave në Kosovë 2013-2022 dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Veprimi përfshinte ndërtimin e objekteve për deponimin e mbeturinave të rrezikshme bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2010.

Zyra e BE-së ka njoftuar se Qeveria fillimisht identifikoi një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq në Fushë Kosovë, e cila, pas studimeve paraprake, nuk doli të jetë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë të pamundur ndërtimin.

Pas disa kërkesave nga ana e BE-së në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi një lokacion alternativ brenda komunës së Fushë Kosovës.

Megjithatë, Kuvendi i Komunës e refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.

“Pa parcelë toke të identifikuar, nuk është më e mundur të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, projektimi i hollësishëm dhe të përgatitet dosja e tenderit dhe procedura përkatëse përzgjedhëse për kryesin e punëve brenda afatit të kontratës që është 15 dhjetor 2019. Në këtë pikë, thjesht nuk ka kohë për identifikim të një parcele të re dhe për kryerjen e sërishme të të gjitha aktiviteteve përgatitore (gjeologjike, gjeoteknike, projektimi paraprak, konsultimet publike etj.)”, thuhet tutje.

BE-ja shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, i cili do t’i silte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.