Komuna e Podujevës është në mesin e disa komunave që do të përfitojë nga projekti i Zyrës së BE-së në Kosovë për vendosjen e tabelave të rrugëve gjatë vitit të ardhshëm.

Më shumë se 1 mijë rrugë të Komunës së Podujevës do të bëhen me tabela emërtuese gjatë vitit të ardhshëm. Ky projekt i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë do të përfshijë edhe vendosjen e numrave të shtëpive. Në një njoftim të Agjencisë Kadastrale të Kosovës thuhet se kjo i ka paraprirë një marrëveshje mirëkuptimi e nënshkruar ndërmjet kësaj Agjencie, Zyrës së BE-së në Kosovës dhe autoritetit norvegjez për kadastër dhe hartografi “Staten Kartverk”, për vendosjen e tabelave me emra rrugësh dhe numra shtëpish në disa komuna të Republikës së Kosovës.

“Disa nga obligimet për palët nënshkruese të marrëveshjes janë si vijon; marrëveshja parasheh që Zyra e BE-së në Kosovë të financojë dhe tenderojë projektin, Agjencia Kadastrale e Kosovës do të kujdeset për implementimin në terren të projektit, do të monitorojë implementimin, ndërsa autoriteti norvegjez do të financojë angazhimin e dy ekspertëve si dhe aktivitete tjera që do të rrjedhin gjatë implementimit të projektit”, thuhet në këtë njoftim. Sipas të njëjtit, projekti që do të kushtojë më shumë se 1 milion euro dhe do të zhvillohet në tre faza, ku e para do të përfshijë Komunat Gjakovë, Mitrovicë e Jugut, Suharekë, Kllokot, Gllogovc dhe Ranillug, ndërsa vlera e investimeve në këtë fazë do të jetë 400.000 euro. Kurse në fazën e dytë do të përfshihen komunat Podujevë, Malishevë, Dragash dhe Rahovec me po të njëjtën vlerë prej 400.000 eurosh.

“Për shumën e mbetur prej 200.000 eurosh komunat akoma nuk janë përzgjedhur dhe do të jenë objekt i përzgjedhjes pas implementimit të fazës së dytë”, thuhet në njoftim./Llapi.info